10 aeroplanët më të shpejtë të të gjitha kohëve

Derisa në sektorin komercial aeroplanët si Airbus A320 apo Boeing 777, mund të fluturojë me shpejtësi mbi 900 km/h, ata që janë të rezervuar vetëm për operacione ushtarake dhe speciale qeveritare mund ta arrijnë shpejtësinë deri në mbi 7.000 km/h!

Përpjekja e vetme për të bartur pasagjerë me shpejtësi supersonike prej 2200 km/h, ishte aeroplani Concorde që ishte në përdorim nga viti 1976 deri në vitin 2003.

Industritë e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë ato që kanë ndërtuar aeroplanët më të shpejtë që kanë fluturuar ndonjëherë dhe që të gjithë prej tyre janë për përdorim ushtarak.

Ju sjellim në vazhdim listën e 10 aeroplanëve më të shpejtë të të gjitha kohëve:

10. F-111 Aardvark

F-111 Aardvark

General Dynamic F-111 “Aardvark” është një prej aeroplanëve sulmues që është përdorur më së shumti në histori. Ky aeroplan reaktiv, i lansuar në vitin 1964, është i njohur për sulme të sakta me një shpejtësi prej 2655 km/h.

9. F-15 Eagle

Aug. 3 airpower summary: F-15E provides cover for disabled convoy

McDonnell Douglas F-15 “Eagle” për herë të parë ka filluar të përdoret në vitin 1972. Ky aeroplan që e arrinë shpjetësinë prej 2.665 km/h është konsideruar të jetë aeroplani luftarak më i mirë në botë deri me paraqitjen e aeroplanit rus SU-27. F-15 është aeroplani më i përdorur nga forcat ajrore të SHBA-ve, Japonisë, Izraelit, Koresë së Jugut, Singaporit dhe Arabisë Saudite.

8. Tupolev Tu-144

Tupolev Tu-144

Tupolev Tu-144 është aeroplan supersonik i prodhuar në ish-Bashkimin Sovjetik që është përdorur në periudhën 1975-1979. Tupolev ishte hequr shumë shpejt nga shërbimi për arsye sigurie dhe problemeve tjera të shumta që ishin paraqitur gjatë kohës së përdorimit të tij. Kapaciteti bartës i këtij aeroplani me shpejtësi maksimale prej 2878 km/h ishte 167 pasagjerë.

7. MIG-31

MIG-31

MiG-31 arrinë shpejtësinë deri në 3030 km/h dhe ka një nga sistemet më të fuqishme të radarëve të përdorur ndonjëherë në një aeroplan luftarak, i cili mund t’i gjurmojë aeroplanët e tjerë nga një distancë prej më shumë se 400 km. Përdorimi i tij ka filluar në vitin 1975 dhe në ditët e sotme përdoret nga Forcat Ajrore të Rusisë dhe Kazakistanit.

6. XB-70 Valkyrie

XB-70 Valkyrie

Aeroplani monumental amerikan XB-70 Valkyrie ishte një prototip bombardues përdorimi i të cilit  filloi në  vitin 1964. Projekti për zhvillimin e këtij aeroplani që e arrinë shpejtësinë maksimale prej 3300 km/h, ishte anuluar për shkak të mungesës së buxhetit dhe një aksidenti të rëndë. Me gjithë këtë, ushtria amerikane ende është duke u përpjekur që ta ndërtojë një aeroplan të kësaj madhësie dhe shpejtësie.

5. Bell X2

Bell X2

Bell X2 është një model i avancuar i Bell X1, ku ky i fundit është aeroplani i parë që e ka tejkaluar shpejtësinë e zërit në vitin 1947. Bell X2 ishte një prototip për të testuar reagimin e trupit të aeroplanit në shpejtësi 3 herë më të madhe se shpejtësia e zërit. Në vitin 1955 ky aeroplan eksperimental e kishte arritur shpejtësinë prej 3370 km/h. Mësimet e nxjerra në këtë projekt janë aplikuar në shumë aeroplanë të prodhuar më vonë  në SHBA.

4. MIG-25

MIG-25

Ky aeroplan i prodhuar në ish-Bashkimin Sovjetik, për herë të parë ka filluar të përdoret në vitin 1964. Me shpejtësinë prej 3400 km/h, MIG 25 është një nga aeroplanët më të  frikshëm luftarak sovjetik. Aktualisht MIG 25 është aeroplani luftarak më i shpejtë operacional në botë. Ai ende është aktiv në forcat ajrore të Algjerisë, Azerbajxhanit dhe Sirisë.

3. YF-12

DF-SC-82-10542

The Lockheed YF-12 ishte aeroplan luftarak manovrues prototip i Forcave Ajrore të SHBA-ve, që mund të fluturonte me shpejtësi prej 3661 km/h. Megjithëse projekti për zhvillimin e tij ishte anuluar pas komplikimeve dhe parashikimit se shpenzimet e tij operacionale do të jenë tejet të larta, ai ishte përdorur si mostër për ndërtimin e aeroplanit spiun SR-71.

2. SR-71

SR-71

Lockheed SR-71 Blackbird ishte një aeroplan strategjik zbulues që kishte arritur shpejtësinë prej  3540 km/h. Ky aeroplan i lansuar nga Forcat Ajrore të SHBA-ve në vitin 1964, është shfrytëzuar nga NASA deri në vitin 1999 për testimin e fluturakeve të shpejtësisë së madhe në lartësi të madhe.

1. X-15

X-15

Prototipi amerikan X-15 është aeroplani më i shpejtë i prodhuar deri në ditët e sotme. Në fulutrimin  e tij të parë në vitin 1967, ky aeroplan që ishte një projekt i përbashkët i Forcës Ajrore të SHBA-ve dhe NASA-s arriti shpejtësinë prej 7273 km/h. Motorët janë aktivizuar pas lansimit të tij nga një bombardues B-52, ndërsa ka ateruar si një aeroplan konvencional.  /NGJYRA.COM/

Artikuj që mund t\'iu interesojnë

Leave a Reply