10 femrat më të pushtetshme në Kosovë

Në kohën kur bota mashkullore po dominon në të gjitha sferat e jetës në vend, prej politikës deri në biznes – janë disa femra që e kanë dëshmuar veten se dinë dhe mund t’ia dalin, madje edhe më mirë se cilido rival i tyre i gjinisë ‘më të fortë’.

Në vijim po ua prezantojmë një listë me 10 emra femrash, që udhëheqin me institucione apo biznes në Kosovë, e të cilat mund të jenë shëmbull për gjininë mashkullore dhe për femrat e reja që duan të arrijnë diçka në jetë… listë kjo e përpiluar nga Redaksia e Portalit – Ngjyra.com.

 1. Atifete Jahjaga

jahjaga-1

Presidente e dalë nga zarfi, pa sfond politik, e paaftë për të ushtruar detyrën e gardianit të Kushtetutës, pasive lidhur me zhvillimet politike në vend… janë vetëm disa nga etiketimet që e kanë shoqëruar ish-policen, tashmë presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, prej kur u emërua në këtë post, tre vjet më parë. Megjithatë, Jahjaga jo vetëm që i rezistoi me sukses presionit publik që bart posti i saj, por arriti të ‘imponohet’ si lider model në sytë e ndërkombëtarëve…

Në vijim disa arsye pse Jahjaga kryeson këtë listë:

–       Po e përballon me sukses presionin e dy blloqeve politike që janë krijuar në Kosovë dhe lojën e tyre për krijimin e institucioneve

–        Është pothuajse politikane e vetme në vend që nuk është përfolur asnjëherë për korrupsion

–        Në kohën kur politikanët kosovarë kanë humbur mbështjen nga qendrat botërore, Jahjaga ka arritur të depërtojë në skenën ndërkombëtare dhe të përfaqësojë dinjitetshëm Kosovën

–        Gëzon mbështetjen e fuqishme të faktorit ndërkombëtar, sidomos SHBA-ve

Pika e dobët: Vazhdon të konsiderohet si person i imponuar në krye të shtetit dhe nën kontroll nga ndërkombëtarët.

 2. Mimoza Kusari-Lila

mimoza-2

Nëse dikush di të notojë mirë në ujërat e politikës kosovare, atëherë ajo është padyshim nënkryetarja e partisë së biznismenit Behgjet Pacolli (AKR), Mimoza Kusari-Lila. Dikur drejtuese e Odës Ekonomike Amerikane, punëtore e Bankës Botërore, zv/kryeministre dhe ministre e Qeverisë së Kosovës – Mimoza, në tentimin e dytë, arriti të bëhet edhe kryetare e Gjakovës.

Disa arsye pse Mimoza gjendet e ranguar në këtë listë:

–       Është femra e vetme që ka arritur të bëhet kryetare e një komune në Kosovë

–        Për të promovuar sportin, nuk përton të bëj tifo në stadiume për skuadrat e qytetit që drejton

–        Si ministre e ka dëshmuar veten se ka guxim të marrë vendime të vështira – që ua prishin terezinë profiterëve të fuqishëm ekonomik

–        Edhe pse nuk ka arritur t’i përmbushë premtimet elektorale, po jep shenja se nuk e ka ndërmend të qëndrojë pasive në këtë aspekt

–        Ka përvojën dhe shkollimin e duhur për t’u marrë me menaxhim të profilit të lartë, qoftë biznesi, qoftë të administratës

Pika e dobët: Vështirë se mund të pres mbështetje nga elektorati i partisë së saj AKR, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk arriti të kalojë as pragun zgjedhor.

3. Margarita Kadriu

margarita--3

Gjykuar nga pamja por dhe nga veprimet, Margarita duket një femër serioze, që di të notojë mirë në kohën e problemeve. Ish-shefica e gazetës ‘familjare’ Kosova Sot, së fundi është futur në ujërat e politikës – dhe atë jo dosido, por duke u pozicionuar hiç më pak se nënkryetare e partisë më të madhe në vend, PDK.

Disa arsye pse Margarita gjendet në vendin e tretë në këtë listë:

–       Njihet si person i qëndrueshëm edhe në kohën e krizës, pra, që nuk dorëzohet lehtë

–        Nuk përton të futet në debat me këdo, madje edhe të hapë luftë mediale me kundërshtarët e saj

–        Për intersa personale, respektivisht të një grupi interesi brenda partisë, ajo ka hapur front me grupin tjetër të PDK-së për shkak të terminaleve doganore, biznes ky që sjellë përfitime të majme

–        Me pozicionimin e lartë brenda PDK-së ka arritur t’i irritojë dhe largojë nga partia disa ‘zhurmaxhinjë partiakë’ – që konsideroheshin si ‘prurje  intelektuale’

Pika e dobët: Vazhdon ta ndjekë hija e raporteve mediale për trajtim joadekuat të punëtorëve derisa ishte në krye të gazetës, si dhe raportet që prapa bizneseve të saj familjare qëndrojnë paratë e ish-bashkëpunëtorit të Millosheviqit, biznismenit serb, Mirosllav Mishkoviq.

 4. Vjosa Osmani-Sadriu

vjosa-4

Mund të thuhet lirisht se, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, është politikania më e zënë në Kosovë, dhe atë jo për shkak të binjakëve që ka lindur kohë më parë, por dhe për shkak të angazhimit enorm në emër të partisë. Veç tjerash, Vjosa ka trokitur disa herë me lëndë në dyert e Gjykatës Kushtetuese…

Disa arsye pse Vjosa gjendet në këtë listë:

 –       Është femra më e votuar në Kosovë – në zgjedhjen e fundit parlamentare ajo ka fituar mbi 30.000 vota

–        Është krahu i djathtë i liderit të LDK-së, Isa Mustafa – ndërsa gjatë debateve me kundërshtarët, argumenton bindshëm pozicionet e partisë

–        Përkundër përpjekjeve të kundërshtarëve për ta denigruar publikisht, po arrin të mbrohet me sukses dhe vazhdon të konsiderohet si një prej personave më seriozë për ta drejtuar LDK-në, në një të ardhme të afërt

Pika e dobët: Vjosa ka nevojë të mësojë ‘luftën e bërrylave’ në politikë – që ndodh shpesh brenda dhe jashtë partisë së saj.

 5. Flaka Surroi

flaka-5

Flaka Surroi njihet si punëtore e organizatave të huaja që kanë ndihmuar popullatën civile gjatë dhe pas luftës, pastaj, si aktiviste e shoqërisë civile, si sekretare e qeverisë në kohën e kryeministrit Bajram Rexhepi, dhe së fundi – pas largimit të Veton Surroit – si pronare e Grupit Koha.

Disa arsye pse Flaka gjendet në këtë listë:

–        Drejton me sukses kompaninë më të madhe mediale në vend, Grupin Koha, ku bëjnë pjesë një televizion nacional, gazeta më e madhe në vend – Koha Ditore, një shtëpi botuese dhe disa biznese përcjellëse

–        Kompania e saj punëson disa qindra punëtorë dhe atë me mesatare të mirë të pagave krahasuar me gjendjen ekonomike në vend

–        Në kohën kur flitet për mungesë të lexuesve të librave, shtëpia botuese ‘Koha’ ka nxjerrë në treg tituj goxha të suksesshëm

–        Mediumet që i drejton konsiderohen më të afërta me qytetarin dhe që raportojnë për qytetarin

Pika e dobët: Në kohën kur shumica e mediave vendore janë shitur të grupet e caktuara të interesit, respektivisht partitë politike, kompania Koha mundohet të mbajë neutralitetin e saj – gjë që shpesh (keq)kuptohet si ‘punë kundër shtetit’.

 6. Afërdita Saraçini-Kelmendi

aferdita-6

Afërdita është pionere e radio-televizioneve private në vend. Me sukses ka arritur të thithë mbështetjen e organizatave ndërkombëtare për një projekt të tillë dhe tashmë zotëron disa kanale të RTV21 – si dhe vazhdon të zgjerohet në këtë lloj të biznesit.

Disa arsye pse Afërdita gjendet në këtë listë:

–       Drejton me sukses dhe ‘disiplinë’ një prej shtëpive më të mëdha mediale në vend

–        I ka shndërruar në ‘fytyra publike’ shumë të rinjë, të cilët në mediat kanë qenë të anatemuar ose pa liri të duhur të veprimit

–        Mediat e saj i japin hapësirë të konsiderueshme veteranëve të sportit e kulturës, që tashmë ndihen të harruar nga shteti e shoqëria

–        Me një qasje anemike ndaj zhvillimeve politike në vend, mediat e saj kanë arritur të punojnë sipas parimit – ‘mirë me të gjithë’

Pika e dobët: Afërdita ‘akuzohet’ si pionere e importit të produksioneve të lira televizive, e cila e ka ‘helmuar’ këtë vend me serioalet latino-amerikane, e së fundi edhe ato turke.

 7. Linda Shala

linda-7

E përshkruajnë si një zonjë modeste, e cila nuk përton të merret dhe me punët më të thjeshta. Ish-producentja e radio-televizionit publik në vend – RTK, ish-kryetarja e klubit basketbollistik Trepça, tashmë një biznismene e suksesshme, Linda Shala, qëndron bindshëm në mesin e femrave më me ndikim në vend.

Disa arsye pse Linda gjendet në këtë listë:

–       Njihet për angazhimin e saj në promovimin e sportit – dhe derisa ishte në krye të Trepçës, basketbolli në vend ishte në një dimension krejt tjetër

–        Drejton një biznes të suksesshëm në vend, është pronare e Techno-marketit, një qendre tregtare që shet produketet firmato teknologjike

–        Njihet për thjeshtësinë e saj në punë, ndërsa vazhdon të kontribuojë edhe në promovimin e kulturës dhe artit në vend

Pika e dobët: Shpeshëherë e ka të vështirë të gjejë partnerë biznesi që mund ta ndjekin ritmin e saj të punës dhe angazhimit.

 8. Jeta Xharra 

jeta-8

Agresiviteti i saj gjatë emisioneve televizive, Jeta në Kosovë, fillimisht mund ta ketë irrituar shumëkënd, por – me kalimin e viteve – me temat që ka trajtuar dhe me punën hulumtuese që ka bërë me ekipin e saj të BIRN-it – Jeta Xharra ka arritur të zbulojë shumë skandale, të kontribuuojë në zgjimin nga gjumi të sistemit tonë juridik dhe të sigurisë, por edhe të politikanëve në përgjithësi.

Disa arsye pse Jeta gjendet në këtë listë:

–       Në emisionet e saj vazhdon të godasë fuqishëm dukuritë negative në vend, si dhe papërgjegjshmërinë e politikanëve dhe të drejtuesve të institucioneve publike

–        Ka mbështetjen e fuqishme të zyrave dhe ambasadave të huaja në vend për punën që bën me ekipin e saj

–        Është ndër të paktët prej mediave, apo emisioneve, që e ka arsyetuar mbështetjen financiare që ka marrë

–        Nuk kanë arritur ta frikësojnë me kërcënime, as atëherë kur janë përpjekur që ta përbaltin me sulme të orkestruara si bashkëpunëtore e qarqeve të caktuara armike

–        Mundohet të promovojë sportin në vend, duke marrë pjesë në garat e vrapimit

Pika e dobët: Ekziston rreziku që Jeta (në Kosovë) të ndalet se vepruari atëherë kur të venitet mbështetja e saj nga fondacionet e huaja.

 9. Labinota Demi-Murtezi

labinota111

Deputetja e Partisë së Drejtësisë, që ka hyrë në Kuvendin e Kosovës si pjesë e koalicionit me PDK-në, momentalisht është një prej femrave më me ndikim në Kosovë. Këtë pozicion ia mundëson jo vetëm numri i votave që ka fituar – por dhe fakti se ka ndikim të jashtëzakonshëm te ‘fanatikët’ fetarë muslimanë – pasi që është femra e vetme e mbuluar në Kuvendin e Kosovë.

Disa arsye pse Labinota gjendet në këtë listë:

–       Është një prej deputeteve më të votuara në legjislaturën e re të Kuvendit, respektivisht më e votuara në listën e PDK-së, me mbi 11.000 vota

–        Angazhohet për të drejtat fetare të komunitetit musliman, megjithatë ka dënuar shkuarjen e të rinjve kosovarë për të luftuar përkrah ISIS-it

–        Është drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, të udhëhequr nga LDK-ja

Pika e dobët: Ekstremizmi i shtuar fetar në vend dhe vrasja e disa të rinjve kosovarë në luftërat islamike, indirekt mund të ndikojë dhe në zbehjen e mbështetjes elektorale për Labinotën, respektivisht partitë që promovojnë ‘liritë fetare’.

10. Flora Brovina

flora-10

Qysh në fillim duhet theksuar se deputetja e PDK-së, Flora Brovina, aksidentalisht ndodhet në listën e 10 femrave më me ndikim në Kosovë – dhe atë vetëm për shkak të moshës që ka. Mosha e saj ka bërë që ajo të jetë deputetja më e vjetër e Kuvendit të Kosovës, e me këtë edhe kryesuese e Kuvendit deri në konstituimin e tij.

Disa arsye pse Brovina ndodhet në këtë listë:

–       Është personi kyç në Kuvend për të bllokuar koalicionin e partive kundërshtare të PDK-së që të formojnë organet drejtuese

–        Luan rolin e mbrojtëses të Kushtetutës edhe pse nga partitë opozitare akuzohet se nuk po e lejon debatin në Kuvend

–        Njihet si mjeke, poete, veprimtare dhe ish e burgosur politike

Pika e dobët: Do të jetë brenda kësaj liste vetëm deri në konstituimin e plotë të Kuvendit. /NGJYRA.COM/  

Foto: Facebook Profile

Artikuj që mund t\'iu interesojnë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *