Cilët janë më të moralshëm, besimtarët apo ateistët? Studimi..

Një hulumtim kontravers shkencor ka bërë të ditur se, personat religjiozë nuk janë fare më të moralshëm se ata që nuk besojnë në Zot. I vetmi dallim në mes të besimtarëve dhe ateistëve, sipas këtij studimi, është se personat religjiozë kanë treguar emocione me të theksuara lidhur me veprimet morale ose amorale.

‘Sipas informatave që kemi, ky është studimi i parë – i drejtëpërdrejtë – që hulumton se çfarë roli ka morali në jetën e përditshme”, ka deklaruar  dr. Linda Skitka, psikologe në Universitetin Illinois, njëra nga autorët e këtij studimi.

Për nevojat e këtij studimi, ekspertët kishin angazhuar 1.252 meshkuj dhe femra, të moshës prej 18 deri në 68-vjeçare.

Pjesëmarrësit në këtë hulumtim, që të gjithë nga SHBA-të dhe Kanadaja, fillimisht kishin plotësuar një pyetësor lidhur me bindjet e tyre politike dhe religjioze – ndërsa më pastaj, nëpërmjet  mesazheve, kishin pranuar pyetje, pesë herë në ditë për tri ditë rresht.

Ata kanë qenë të obliguar që në pyetësor të përshkruanin gjërat morale dhe amorale që i kanë bërë,  parë, apo dëgjuar. Të anketuarit janë përgjigjur se çfarë kishte ngjarë dhe si janë ndjerë në ato momente.

Në studim konstatohet se personat religjiozë dhe ata joreligjiozë kishin pasur gati të njëjtë numrin e veprave morale dhe amorale. Rezultati doli i njëjtë edhe kur bëhet fjalë për personat që i takojnë rrymës politike liberale apo asaj konservative.

Të anketuarit kanë paraqitur më shumë veprat e mira që i kanë bërë në jetë, ndërsa të këqijat – sipas tyre – më shumë i kanë dëgjuar nga të tjerët.

Shkencëtarët po ashtu kanë zbuluar se, njerëzit të cilët kanë pasur dobi nga ndonjë veprim i mirë i ndonjë personi, bëjnë të njëjtën gjë për njerëzit tjerë.

I vetmi dallim, siç thuhet në studim, është se besimtari dhe jobesimtari dallojnë kur bëhet fjalë për ndjenja që kanë ndaj këtyre veprimeve.

Besimtarët kanë qenë më krenar për veprat e mira që i kanë bërë në jetë, më falënderues për veprimet morale që i kanë bërë të tjerët, ndërsa ndjenin më shumë faj dhe neveri për veprimet amorale.

Përkundër faktit se këto hulumtume japin vetëm një pasqyrë të vogël për faktin se sa janë njerëzit moralë, psikologët shpresojnë se me studime shtesë, që do t’i bëjnë nëpërmjet telefonëve të mençur, do të arrijnë t’i kuptojnë më mirë veprimet e njerëzve.

Ky studim është botuar në revistën ‘Science’. /NGJYRA.COM/

Artikuj që mund t\'iu interesojnë

Leave a Reply