Rrëfimi i pabesueshëm për njeriun që mbolli 550 hektarë pyje

Shkatërrimi i pyjeve është një prej problemeve më të mëdha me të cilat ballafaqohet çdo ditë shteti i Indisë. Pasojat e kësaj dukurie janë të pariparueshme, toka djerrinë, erozioni i shtuar, zvogëlimi i prodhimtarisë bujqësore, si dhe shkatërrimi i botës bimore dhe asaj shtazore.

Megjithatë, shumë vjet më parë, një person kishte vendosur të ndryshonte këtë gjendje. 32 vjet më parë, Jadav “Molai” Payeng nga India, atëherë adoleshent (16-vjeçar), kishte filluar projektin e tij, dhe që nga ajo kohë ai mbolli 5.5 km katrorë, respektivisht 550 hektarë pyje.

Molai kishte vendosur të ndermerrte diçka qysh në kohën kur, si fëmijë, autoritetet lokale e kishin refuzuar lutjen e tij që të bënin diçka rreth zhdukjes së pyjeve.

Jadav Molai 003

“Gjarpërinjtë ngordhnin nga të nxehtit sepse nuk kishin ku të gjenin hije. Ulesha dhe qaja mbi trupat e tyre të ngordhur. Ishte masakër. Ia kam tërhequr vërejtjen sektorit të pylltarisë dhe u lutesha t’i mbillnin pemët. Me thoshin se këtu asgjë nuk do të rritej. Në vend të kësaj, më propozonin të mbillja dru bambuje. Ishte e dhimbshme, por vendosa të bëja ashtu. Askush nuk dëshironte t’më ndihmonte. Askush nuk ishte i interesuar”, kujton atë kohë Jadav “Molai” Payeng.

Molai jeton në një kasolle në pyll, bashkë me gruan e tij Binita dhe 3 fëmijët e tyre. Në fermën e tij ndërkaq, ai ka disa kafshë, ndërsa të ardhurat e tyre të vetme i sugrojnë nga shitja e qumështit.

Kur kishte filluar t’i mbillte drunjtë, Molai ishte izoluar në tërësi nga pjesa tjetër e shoqërisë. Ai i kishte mbjellur me dorë farërat, të cilat i ujiste në mëngjes dhe në mbrëmje. Pas shumë vjetësh të punës së mundishme, zona qe mbushur me drunj bambuje dhe shkurre.

“Atëherë vendosa të mbillja drunj të mëdhenj. I mblidhja dhe i mbillja. Po ashtu kam bartur dhe milingonat e kuqe nga fshati im, të cilët me pickonin shumë. Ato ndryshojnë vetitë e tokës. Ishte kjo një përvojë e paharruar”.

Kështu, me kalimin e viteve, dikur zona e shkretë ishte mbushur me bimë të llojeve të ndryshme por dhe të shtazëve – përfshirë këtu dhe rinoqerontin njëbrirësh dhe tigrin bengalez. Pas 12 vjetësh, aty ishin vendosur dhe zogjtë grabitçarë, e madje dhe zogjtë shtegtarë.

Jadav Molai 001

Fatkeqësisht, banorët lokalë e kishin vrarë rinoqerontin, ndërsa Molai u kishte thënë se: “Natyra e ka krijuar një zinxhir të mbijetesës, dhe përse ai të mos respektohet? Kush do t’i mbrojë ato shtazë nëse ne, si krijesa superiore, dalim në gjah?”

E pabesueshme por e vërtetë, pushteti qendror në Indi e kishte kuptuar për projektin e Molait, vetëm në vitin 2008, pasi një kope prej 100 elefantësh ishte vendosur në pyllin e mbjellur nga ai. Vetëm atëherë ndihmësi për mbrojtjen e pyjeve, Gunin Saikia, e kishte takuar Molain.

Jadav Molai 005

“Kemi qenë të befasuar kur e gjetëm një pyll kaq të dendur. Banorët lokalë, shtëpitë e të cilëve i kishin shkatërruar elefantët e vendosur në pyll, dëshironin të zvogëlonin sipërfaqen e tij, mirëpo Molai u kishte thënë që se pari duhet ta vrasin atë. Ai i trajton drunjtë dhe shtazët sikur të ishin fëmijë të tij. Duke e parë këtë gjendje, kemi vendosur t’i ndihmojmë. Po të jetonte në ndonjë shtet tjetër ai sigurisht se do të shndërrohej në hero”, ka thënë zyrtari Saikia.

Më 22 prill 2012, Jadav “Molai” Payeng është shpërblyer dhe zyrtarisht për arritjet e tij të mëdha, ndërsa rrëfimin e tij e kishte ndarë me publikun – duke shpresuar që veprimet e tij do t’i inspirojnë njerëzit anëmbanë botës. /NGJYRA.COM/

Jadav Molai 004

Artikuj që mund t\'iu interesojnë

Leave a Reply